Kryeministri i vendit, Albin Kurti i është përgjigjur përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Joseph Borrell i cili e qortoi atë për aksionin për arrestimin e kriminelit “Llune”.
Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se Kosova është Republikë Demokratike dhe se operacionet policore nuk janë punë e asnjë zyrtari evropian.
Madje Kurti pretendoi se nuk e di as ai kur ka operacione policore.
“Jemi republikë demokratike. As unë nuk e di kur arrestohet një kriminel, sepse kjo është çështje e policisë hetuese, njësisë që bën arrestimet, prokurorisë. Ka arrestime që unë i shoh saktësisht në të njëjtën kohë si ju, sepse jemi republikë demokratike. I tillë ka qenë arrestimi i Llunës. Mirëpo, veprimet operacionale, kur duhet të arrestohet dikush nuk janë punë e imja, besoj e asnjë zyrtari evropian. Sundimi ligjit në Kosovë është çështje e PK-së. PK-ja ka kryer panumër trajnime në vendet perëndimore, dhe atje kanë mësuar si nuk duhet lejuar të politizohen operacionet policore. Prandaj, nuk mund të bëj çfarëdo pazaresh në kurriz të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, ka thënë Kurti.