Kurti: Besoj në pafajësinë e Thaçit, Veselit e të tjerëve – lufta e tyre ishte e drejtë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se beson në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.

Ai më tutje ka shtuar se si Qeverie e Kosovës kanë paguar mbi 16 milionë për procesin e tyre.

‘’Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, e pastër, çlirimtare dhe antikoloniale. Unë besoj në pafajësinë e atyre që janë atje. Ne e mbështesim mbrojtjen e tyre dhe deri më tani kemi paguar si shtet mbi 16 milionë euro për mbrojtjen e tyre. Bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë se nuk e kanë mbaruar punën e tyre sa i përket drejtësisë në territoret e ish-Jugosllavisë, sepse në vitet e nëntëdhjeta nga forcat serbe janë vrarë 150 mijë joserbë. Do të thotë që, nëse një njeri ka vrarë deri në 10 prej tyre, janë 15 mijë vrasës serikë në Serbi të cilët shëtisin lirshëm. Nga ky numër, as 1% e tyre nuk kanë përfunduar pas grilave. Edhe këtu kemi një asimetri të theksuar që bie ndesh me pajtimin e popujve tanë në Ballkanin Perëndimor’’, është shprehur Kurti.

Në Hagë po vazhdon procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Ata para trupit gjykues janë shprehur të pafajshëm.