Kur do të ndalet vala e temperaturave ekstreme në Evropë?

Evropa po piqet nën diellin përvëlues të valës më të fundit të të nxehtit ekstrem, me potencial që temperaturat t’i kalojnë 45 gradë Celsius në disa pjesë të Spanjës.

Italia dhe Greqia po përjetojnë gjithashtu periudha të nxehta, me ekspertët e klimës që deklarojnë se bota sapo ka pasur javën e saj më të nxehtë në histori.

Por, çfarë po ndodh më konkretisht në Evropë dhe cili do të jetë vendi më i nxehtë gjatë kësaj jave?

Temperaturat në të gjithë Evropën po rriten pasi kontinenti është goditur nga një valë e të nxehtit saharian, me termometrin që shënon 5, e në disa vende deri në 10 gradë Celsius mbi mesataren.

Ka disa arsye përse e gjithë kjo po ndodh. Një zonë me presion të lartë atmosferik është bllokuar mbi Mesdheun jugor, në veçanti në Spanjë, dhe retë e pluhurit të Saharasë po përkeqësojnë gjithashtu kushtet e motit.

Një faktor tjetër që kontribuon janë temperaturat jashtëzakonisht të larta të sipërfaqes së detit, që do të thotë se ajri më i freskët nuk po fryn në brendësi të Mesdheut.

Dhe shkencëtarët thonë se gjurmët e ndryshimeve klimatike mund të gjenden në ngjarje si kjo.

Pse vala e të nxehtit quhet Cerberus?

Shoqëria Meteorologjike Italiane e ka quajtur valën e të nxehtit sipas përbindëshit mitik, Cerberus, i cili thuhej se ruante portat e Ferrit.

Në Ferrin e Dante Alighierit, veprën e famshme të poetit italian për një udhëtim në të, Cerberus është një qen me tre koka që mundon mëkatarët në rrethin e tretë.

Ku është pjesa më e nxehtë e Evropës?

Duket se Spanja do të zërë vendin e parë këtë javë, me paralajmërimin e shërbimit meteorologjik të vendit, se termometrat mund të kalojnë 45 gradë Celcius në zonat juglindore të Gadishullit Iberik.

E njëjta temperaturë u arrit të hënën në një fshat afër Granadës në fillim të valës së të nxehtit.

Ndërkohë, 10 qytete në Itali janë vënë në alarm të lartë për të moshuarit, nga Bolzano në veri, duke u shtrirë në jug deri në Bolonja, Firence dhe Romë.

Temperaturat pritet të arrijnë në 40 gradë Celcius në brendësi të Sardenjës të mërkurën.

I nxehti po godet frikshëm dhe në Greqi, ku në ditët në vijim parashikohet që temperaturat të arrijnë deri në 44 gradë Celsius në disa pjesë të vendit.

Autoritetet ndaluan aksesin në rezervatet natyrore dhe pyjet për të reduktuar rrezikun e zjarreve, ndërsa bashkitë po krijojnë zona me ajër të kondicionuar në ndërtesat publike që njerëzit të strehohen nga nxehtësia.

Kur do të përfundojë vala e të nxehtit?

Ka potencialisht disa lajme të mira për Spanjën me mot më të freskët në rrugë.

Ruben del Campo, një meteorolog nga agjencia kombëtare e motit të Spanjës, tha: “Të mërkurën, ne presim që temperaturat të bien në përgjithësi me ardhjen e erërave të ftohta nga veriu dhe lindja, me përjashtim të Andaluzisë juglindore dhe jugore, ku fryjnë erëra të nxehta“.

Ndërsa pritet një lehtësim në ditët në vijim për Gadishullin Iberik, vendet e tjera evropiane do të djersiten gjatë fundjavës.

Sipas shërbimit meteorologjik në Britani , vala e të nxehtit mund të zgjasë edhe një javë dhe ndoshta më gjatë në disa zona.

Nuk ka shenja të ndonjë ndryshimi të madh në llojin e motit për dy javët e ardhshme për momentin,” tha një zëdhënës i kësaj zyre.

A shkaktohet i nxehti ekstrem nga ndryshimet klimatike?

Vala e fundit e të nxehtit vjen pasi bota përjetoi javën e saj më të nxehtë të regjistruar në fillim të korrikut – pas qershorit më të nxehtë ndonjëherë – sipas Organizatës Botërore Meteorologjike.

Studimet e mëparshme kanë lidhur nxehtësinë në Evropë me ndryshimet klimatike.

Në fillim të kësaj jave, një studim i ri zbuloi se më shumë se 61,000 njerëz vdiqën në Evropë verën e kaluar si rezultat i nxehtësisë ekstreme.