Milazim Thaçi, sot ka dëshmuar para gjykatës kundër Muhamet Alidemajt, të cilin Prokuroria po e akuzon për kontribut në masakrën ndaj 147 shqiptarëve në Izbicë.
Rrëfimi i Thaçit, emocionoi edhe trupin gjykues, ku njëra gjyqtare është parë duke fshirë lotët, shkruan Portali Mërgata.
Thaçi ka deklaruar se nuk e di nëse Alidemaj ka qenë në mesin e serbëve kur ka ndodhur masakra, por ka thënë se atë personalisht e ka ruajtur zoti.
“Grupa e parë kemi qenë 30 persona, na kanë dërgu në stom të malit, na thanë me u gjunjëzu edhe me u kthy majtas. Aty naj kanë lëshu mitralozin, mu përmbi më ranë dy kufoma. 3 kemi pshtu, njani u çu nisi me nga, i thojshin ndalu, ai ngajke se u habit, e rrokën plumb në ballë. Nuk e di, mu më ka pshtu Zoti, 40 minuta i kom majtë kufomat përmbi trup temin. Kur jom çu, më thanë çka ki në shpinë, kisha pas gëzhoja që m’kanë prek po jo mem lëndu. Unë bërtita, thash krejt familjen naj paskan vra a? Në maj naj kanë vra pastaj edhe 12 fëmijë”, ka rrëfyer duke qarë Thaçi.
Ai ka treguar se në momentin që serbët i kishin afruar tek mali për t’i masakruar, i kanë pyetur “ku e keni Amerikën, ku e keni Thaçin?”, duke aluduar në drejtorin politik të UÇK-së, Hashim Thaçi.
“Na thanë ‘ku e keni Amerikën, ku e keni Thaçin’ he nanën kshtu e kshtu jau bofshim”, ka rrëfyer Thaçi.
Thaçi ka qenë dëshmitar edhe kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, kur ky i fundit është gjykuar për krime lufte në Hagë.
Kujtojmë se 24 vjet më parë, fshati Izbicë i Komunës së Skenderajt përjetoi një ndër masakrat më të mëdha të kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Forcat e shumta ushtarake dhe policore të Serbisë lanë të vdekur 147 persona duke mos kursyer as fëmijët. /Portalimërgata/