Krasniqi reagon pasi dështoi blerja e librave: Qeveria po ua rëndon mbijetesën familjeve kosovare

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pasi Ministria e Arsimit këtë vit shkollor nuk do të bëj shpërndarjen e librave.

Ai ka thënë se “skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie”, dhe kjo po e rëndon akoma më shumë gjendjen e qytetarëve.

Krasniqi kujtoi faktin që me vendim të ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, çështja e librave ishte zgjidhur e ndërsa tash me qeverisjen e Albin Kurtit po kontribuohet në thellimin e varfërisë së qytetarëve.

Postimi i plotë:

Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre.

Mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla. Këtë çështje e kishte zgjidhur rreth 15 vite më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi, duke u lehtësuar sadopak barrën e shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, përmes sigurimit të librave falas.

Kur ne po flasim për paaftësi qeverisëse – kjo është ajo për të cilën e kemi fjalën konkretisht. Dështimi për të përmirësuar jetën e qytetarëve, në çfarëdo aspekti. Për më keq, përmes veprimeve të tyre, kjo Qeveri vetëm sa po e rëndon dhe po e bën më të papërballueshme mbijetesën e familjeve të vendit tonë.

Fjalët janë të mira, por qeverisja bëhet me punë, përgjegjësi e dije. Sot, fatkeqësisht, qytetarët po detyrohen të zgjedhin në mes të tatimeve, sigurimit të ushqimit apo shkollimit të fëmijëve. Me këtë lloj qeverisje, Albin Kurti vetëm sa po kontribuon në thellimin e varfërisë së qytetarëve dhe rritjes së numrit të emigrantëve kosovarë.