Krasniqi: Diaspora e ka votuar VV-në, por tash ka ndryshuar

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas pritjes së diasporës thotë se është i vetëdijshëm për përkrahjen që mërgata kosovare ia ka dhënë Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit, por, sipas tij, kjo po ndryshon. 

“Ka ndryshime të mëdha, për shumë arsye. E para, për shkak të krejt premtimeve të Kurtit, sepse ai paraqitur më shumë në karakterin nacionalist, por edhe në anën e premtimeve ekonomike e sociale. Ata vijnë edhe e shohin se nuk janë realizuar ato premtime”, tha Krasniqi 

Tutje, ai në emisionin “Frontal” të T7 përmend angazhimin e partive opozitare në vendet ku jetojnë më shumë diaspora kosovare. 

Krasniqi thotë se një nga arsyet e zvogëlimit të aktivitetit të PDK-së në diasporë është pasivizimi i degëve të partisë nëpër Evropë, pasi Kosova u bë shtet dhe u hapën ambasadat e konsullatat. 

Këtë, sipas Krasniqit, e ka shfrytëzuar Kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila u votua masivisht nga diaspora në zgjedhjet e fundit. 

Kryetari i PDK-së thotë se e kanë parë të nevojëshme që partia të rikthehet sërish në vendet ku jeton mërgata kosovare.