Policia e Cyrihut ka arrestuar tre persona nën dyshimin se kanë ndihmuar persona të tjerë të kalojnë duke kopjuar testin teorik për lejen e qarkullimit të automjeteve.
Ata i kishin pajisur me pajisje teknike personat që hynin në test, duke ju ndihmuar pastaj me përgjigjet e provimit, përcjell Portali Mërgata.
Më 13 korrik, policia ka arrestuar një kosovar 33-vjeçar, i cili ia kishte “huçur” duke e pajisur me pajisje teknike për kopjim një hetues civil të policisë.
Hetuesi policor kishte vazhduar të lunate rolin e tij, ai kishte hyrë në test duke pranuar përgjigjet nga kosovari, i cili po i përshpëriste në vesh.
33-vjeçari ishte arrestuar pas provimit, kur hetuesi policor po ia kthente aparaturat që i kishte marrë nga ai.
Gjatë kontrollit në banesa dhe lokacione të ndryshme, policia ka gjetur pajisje të ndryshme teknike si celularë, mikrofona, kamera, kufje dhe para të gatshme.
Bashkë me kosovarin, janë arrestuar edhe një zviceran 30-vjeçar dhe një tjetër kosovar 23-vjeçar i cili dyshohet se po qëndronte ilegalisht në Zvicër.
Tre të arrestuarit, së bashku me një shtetas serb 60-vjeçar, dyshohet se kanë ndihmuar ilegalisht personat e tjerë për të kaluar testimin, duke filluar nga vera e vitit 2022.
Policia ende nuk di numrin e personave që kanë përfituar nga ky skenar i kosovarëve, ndërsa prokuroria ka hapur procedurë penale dhe ka kërkuar paraburgim për të dy kosovarët. /PortaliMërgata/