Konjufca: Shpejtësia e realizimit të premtimeve që i kemi dhënë nuk është e duhura

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka folur lidhur me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje. 

Ai ka thënë se shpejtësia e realizimit të premtimeve të Lëvizjes Vetëvendosje ndoshta “nuk është siç është pritur”. 

Mirëpo sipas Konjufcës  vendi ndodhet “në një betejë të rëndësishme”, e cila do të përcaktojë se “çfarë orientimi do të ketë shteti i Kosovës” dhe se ajo duhet të fitohet. 

“Si mazhorancë kemi dalë aty me disa premtime para qytetarëve. Ndoshta shpejtësia e realizimit të atyre premtimeve nuk është siç është pritur, mirëpo mendoj që tash jemi në një betejë shumë të rëndësishme, bash në këtë moment kur po flasim, e ajo betejë duhet të fitohet. Kjo betejë me të vërtetë ka shumë rëndësi për çfarë orientimi do të ketë shteti i Kosovës. Kjo është betejë për karakterin e shtetit”, tha Konjufca në T7. 

Më tutje Kryetari i Kuvendit përmendi luftimin e fenomeneve negative si korrupsioni e të tjera, që sipas tij, janë punë të cilët ai beson se qytetarët i shohin dhe i vlerësojnë.