Kur flasim për mërgimtarët që kanë lënë gjurmë në botën e biznesit në shtetet e Evropës, kryesisht fokusi orientohet në atë të ndërtimtarisë apo lëmive që lidhen me të.
Biznese të tilla, të drejtuara nga shqiptarë, tanimë ka shumë në vendet evropiane, kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri e Slloveni. Sidoqoftë, nëse deri tani kemi folur për këtë anë që ishte “specialitet” i shqiptarëve që emigruan në shtetet e huaja, sot do të flasim për një tjetër dimension…dimension që tejkalon arritjet e deritanishme të atyre që paraprakisht zgjodhën të merreshin me biznes në zemër të Evropës, shkruan Portali Mërgata.
Dhe kush “e ndërroi lojën”? Sot do të flasim për “LEON Dienstleistungen” një kompani gjigante në orientim e veprim, me seli në Schonefeld, e drejtuar nga Faton Blakqori, një biznesmen i spikatur me prejardhje nga Kosova.
Çka bën “LEON Dienstleistungen”?
Kompania në fjalë realizon parqe të jashtëzakonshme solare, në atë mënyrë që merr me qira tokën nga pronarët gjermanë, nga ku më pas në të njëjtën realizon parqe solare me panele deri në 8 MW.
“Marrja me qira e tokës për ferma diellore ose instalimi i një sistemi fotovoltaik rrit ndjeshëm përfitimin e të ardhurave tuaja aktuale dhe sipërfaqes së tokës. Çmimet e qëndrueshme të qirave ju japin stabilitet financiar, me shpërblim dukshëm më të lartë se çmimet e zakonshme të qirasë”, thonë nga kjo kompani.
Sipas “LEON Dienstleistungen”, përveç përfitimit të atyre që japin tokën e tyre për ndërtimin e parqeve solare, kjo ndikon edhe në mbrojtjen e mjedisit, pasë parasysh burimin kryesor të prodhimit të rrymës, që në këtë rast është energjia e diellit.
Kjo është vetëm njëra nga elementet e punës së “LEON Dienstleistungen”.
Kjo kompani në fakt është edhe partner i rëndësishëm me “Deutsche Bahn”, duke ndihmuar në logjistikë dhe transport, përfshirë mirëmbajtjen e shinave dimërore, sigurinë e binarëve dhe menaxhimin e vegjetacionin.
Faton Blakqori, mërgimtari që ka arritur tanimë këto suksese, synon që këtë ekspertizë të fituar në Gjermani, ta instalojë edhe në Kosovë.
Ai thotë se ka shprehur haptas dëshirën e tij që edhe në Kosovë të instalojë një park solar deri në 20 MË, mirëpo që kjo do të jetë e mundur vetëm pasi që ZRRE të mundësojë qasjet.
Për ata që duan të dinë më shumë, apo kanë ide bashkëpunimi me “LEON Dienstleistungen” mund të kontaktojnë përmes linkut të mëposhtëm ku gjenden të gjitha detajet.