Kjo është gjendja shëndetësore e policëve që u lënduan në veri të Mitrovicës

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka folur në lidhje me gjendjen shëndetësore të zyrtarëve policorë që u lënduan gjatë situatës së tensionuar që u krijua dje në veriun e Mitrovicës.

Zeqiri i shoqëruar nga Kryetari i Shoqatës Sindikale të DRP Mitrovicës së Jugut, Avni Tahiri, sot ka vizituar Kampin e Njësive të Specializuara Policore në Belvedere.

Në takim ka marrë pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha dhe stafi i tij menaxhues, si dhe ministry i MPB-së, Xhelal Sveçla me bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë këti takimi Kryetari i Sindikatës u informua se gjendja shëndetësore e policëve të lënduar, një ditë më parë, është e mirë dhe pa ndonjë rrezik për jetë.

Po ashtu u informua se sot gjendja është e qetë dhe pa asnjë incident, kurse Policia e Kosovës janë duke i kryer detyrat e tyre me profesionalizëm të lartë sipas autorizimeve ligjire dhe kushtetuese.

Sa u përket kushteve, u tha se policia janë të kompletuar me të gjitha pajisjet dhe mjetet e nevojshme logjistike për kryerjen e detyrave zyrtare.

Në këtë takim, me Ministrin e MPB-së Xhelal Sveçla, u diskutua edhe për mosekzekutimin e shtesave për rrezikshmëri dhe kërkesat e tjera nga Sindikata.

Sveçla tha se është duke u punuar për të gjitha por pa caktuar ndonjë afat kohor, por deklaroj se është shumë i vendosur që të bëjë më të mirën e mundshme për policinë.

Kryetari i Sindikatës ka vizituar edhe Drejtorinë Rajonale dhe Stacionin Policor të Jugut të Mitrovicës ku ka takuar zyrtarët policorë dhe eprorë nga të cilët është njoftuar drejtëpërdrejt për kushtet dhe kërkesat e tyre siq janë: shtesat për rrezikshmëri, sigurimi shëndetësor, Ligji për pensionim si dhe kërkesa tjera të njohura për të gjithë.

Përkundër kërkesave, vullneti dhe morali i policëve dhe eprorëve ishte në nivelin më të lartë sa i përket kryerjes së detyrave zyrtare në mbrojtje të rendit, ligjit e kushtetushmërisë së vendit.