Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, Ramush Haradinaj, ka folur mbrëmë për zhvillimet e fundit në vend.
Në fillim të emisionit në RTV Dukagjini, Haradinaj ka folur për pikëpamjet e tij rreth menaxhimit të situatës në veri nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, shkruan Portali Mërgata.
Por, një debat i vogël ka ndodhur mes Haradinajt dhe moderatorit të emisionit, Ermal Panduri, pasi që ky i fundit, pas hyrjes në emisioni bëri një lidhje direkte me kolegen e tij, e cila njoftoi për fillimin e takimit mes Lajçak, Escobar dhe kryeministrit Kurti.
Pas përfundimit të lidhjes direkte me gazetaren e RTV Dukagjinit, Panduri është rikthyer në temë duke iu drejtuar Haradinajt me pyetjen “z. Haradinaj a duhet me çu n’shpi z.Kurti?”.
“Ma mirë me t’çu ty n’shpi qysh po e udhëheq emisionin sesa z.Kurti. Më fal, më keni ftuar në studio, për befasi të tilla është mirë të dakordohemi”, i është përgjigjur Haradinaj me ironi.
“Sapo ka hyrë z.Escobar në ndërtesën e Qeverisë…”, ka deklaruar në anën tjetër Panduri.
“S’ka lidhje, asnjë lajm nuk ke pas, ti veç po e ç’orienton bisedën. Kur ki ksi situata, boni vet, unë pres edhe 10 minuta. Nëse ishin dal me një deklaratë e kuptoj, por këtë bisedën që e bone me kolegen, ishte bukur e panevojshme”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai i ka thënë Pandurit se nëse dëshiron ta ketë mysafir ndonjëherë tjetër, duhet të jetë korrekt me të dhe me shikuesit, duke i kërkuar kështu të qëndrojë në temë dhe jo të ndërpres emisionin për lidhje direkte që sipas Haradinajt, nuk kishin ndonjë lajm. /PortaliMërgata/