Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier sot para mediave ka folur edhe për përgjimet e fundit të shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq, ku përmendet edhe Milan Radojiçiqi.
Ambasadori Hovenier i pyetur nga gazetarët lidhur me këtë, nuk ka komentuar shumë, por ka thënë se liderët politikë në Kuvend kanë komunikim me të gjitha palët, por duhet ditur se Radojiçiqi është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Nuk mund të flas shumë për këtë, liderët politikë në Parlament kanë komunikim me të gjitha palët. Por Radojiçiq ju e dini se është në listë të zezë të ShBA-ve”, tha ai.
Ai gjithashtu ka folur edhe për veriun e Kosovës, ku ka thënë se ShBA-ja dëshiron koordinim.
Hovenier ka thënë se ShBA-ja dëshiron që Kosova t’i arrijë qëllimet e veta e se e mbështet një Kosovë demokratike dhe sovrane.
“Do të thosha që SHBA-ja mbetet e përkushtuar siç ka qenë gjithmonë që ta shohë Kosovën duke arritur qëllimet e veta. Ajo që dua të them është se ne jemi prapa një Kosove sovrane, të pavarur, multietnike demokratike që zë vend në strukturat evropiane e euroatlantike. Po bëjmë punë të madhe për këtë. Kjo po ashtu nënkupton që Kosova ta ushtrojë sovranitetin e saj. Veriu është i komplikuar dhe i vështirë dhe mënyra se si Qeveria e Kosovës menaxhon situatën është shumë e ndjeshme dhe duam të jetë shumë e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë që të shmangin momentet e krizës që pengojnë rrugën tonë të gjatë për të arritur këtë qëllim të përbashkët”, ka thënë ai.