Italianja që u vra nga mërgimtari ishte në lidhje jashtëmartesore me kosovarin

Detaje të reja janë publikuar nga mediat italiane në lidhje me vrasjen e 27-vjeçares Vanessa Ballan mëngjesin e së martës 19 dhjetor, në Treviso.

Autori dyshohet të jetë Bujar Fandaj, një 41-vjeçar shqiptar me origjinë nga Kosova.

Ballan dyshohet se ka pasur një lidhje jashtëmartesore me Bujar Fandaj, të cilës dyshohet se i ka dhënë fund pak kohë më parë.

Pas ndarjes kanë lindur dhe përplasjet mes 27-vjeçares dhe 41-vjeçarit shqiptar, ku ky i fundit e shantazhonte se do t’i publikonte video intime.

27-vjeçarja, e cila ishte shtatzënë në momentin e ekzekutimit, e ka denoncuar në polici 41-vjeçarin për përndjekje.

Ajo banonte në Riese Pio X me partnerin e saj, si dhe me djalin e tyre 4-vjeçar.

Shqiptari hartoi planin e hakmarrjes dhe e vuri në zbatimin mëngjesin e së martës. Me furgonin e punës si korrier, ai shkoi në banesën e Vanesës, parkoi mjetin dhe doli në pjesën e pasme të shtëpisë.

41-vjeçari theu xhamin e pasëm, dhë mundi të futej në godinën ku banonte ish-e dashura.

Me një thikë në dorë ai e ekzekutoi 27-vjeçaren, duke e qëlluar 7 herë në bark.

Hetuesit, të udhëhequr nga prokurori Michele Permunian, e cilësuan skenën përballë të cilës ata u gjendën si një masakër të vërtetë.

27-vjeçarja u gjet në shkallët jashtë banesës nga partneri i saj rreth orës 12:00, kohë kur ai ishte kthyer nga puna për pushimin e drekës.

Karabinierët identifikuan vrasësin nëpërmjet furgonit dhe bënë të mundur arrestimin e tij pak para mesnatës, pranë banesës së tij në Altivole.