Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar për arrestimet e sotme të zyrtarëve shtetërorë.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se Kurti është person “i sëmurë për pushtet” i papërgjegjshëm dhe i pandërgjegjshëm që nuk dorëhiqet.
Madje sipas tij, është e obligueshme që të ketë mobilizim për ta rrëzuar Kurtin.
Në këtë kontekst, ai kërkon që të ketë seancë të jashtëzakonshme për këtë qëllim.
Postimi i plotë i tij:
Degradimi i qeverisë ka arritur në përmasa enorme, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm.
Përderisa kaq shumë zyrtarë qeveritar dhe persona të afërt me qeverinë e partinë në pushtet, janë të përfshirë në skandale nga më të ndryshmet, të padëgjuara më parë në Kosovë, atëherë akuzat drejtohen vetëm në një adresë.
Koka dhe udhëheqësi i tyre, është pikërisht ai që i ka angazhuar dhe i ka veshur me pushtet e përgjegjësi, kryeministri i vendit dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti.
Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një njeri të sëmurë për pushtet, të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, e që nuk dorëhiqet, obligohet mobilizimi i të gjithë atyre që e dojnë Atdheun dhe që përfaqësojnë interesat e vendit dhe qytetarëve, pa dallime partiake.
Thirrja e seancës së jashtëzakonshme për shkarkimin e qeverisë përmes mocionit të mosbesimit, është zgjidhja e vetme për të shpëtuar vendin dhe për t’i hapur rrugë qeverisë së unitetit kombëtar dhe zgjedhjeve të reja. /PortaliMërgata.