Gjykata merr vendim për mërgimtarin që kërcënoi Avdullah Hotin

Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 2 mijë euro gjobë të akuzuarin Reshat Sadiku, mërgimtar me banim në Gjermani, i akuzuar për kanosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Sadiku, u shpall të martën nga gjykatësi Driton Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, sipas aktgjykimit ndaj të akuzuarit u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve, mirëpo me pëlqimin e të njëjtit dënimi me burgim iu zëvendësua me dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.

Dënimin më gjobë i akuzuari obligohet që ta pagojë në dy këste në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas aktgjykimit, nëse i akuzuari nuk dëshiron apo nuk mund ta paguaj dënimin e shqiptuar me gjobë, gjykata dënimin me gjobë ia zëvendëson më dënim me burgim, dukë iu llogaritur shuma prej 20 euro për një ditë burgimi.

I njëjti obligohet që të pagojë edhe shpenzimet procedurale aq sa do të llogaritën nga gjykata, si dhe shumën prej 20 euro për paushallin gjyqësorë, e 20 euro tjera për fondin e kompensimit te viktimave të krimit.

I dëmtuari në këtë rast deputeti Abdullah Hoti nuk ka parashtruar kërkesë pasurore-juridike.

dërsa, palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese brenda afatit prej 30 ditësh në gjykatën e shkallës së dytë.

Paraprakisht, në sesionin e paraditës, gjykata aprovoi marrëveshjen për pranim fajësie që i akuzuari Sadiku e ka arritur me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Ndërsa, i akuzuari i kërkoi falje publike të dëmtuarit Hoti.

“Për shkak se edhe vetë kam pasur kanosje, internetin nuk e përdori shumë edhe nuk e kam fshi komentin. Për kanosjen, kërkoj falje publike me gjithë zemër, nëse ka diçka për ndihmë nga ana ime, jam i gatshëm. Kërkoj falje…”, tha ai.