Gjuajtja me armë mbrëmë në Prishtinë: Njëri nga pronarët e lokalit është politikani i njohur i PDK-së

Një gjuajtje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmë në lokalin “Bon Vivant” në qendër të Prishtinës.

Nga të shtënat, deri më tani është konfirmuar një person i vdekur dhe disa të tjerë të plagosur, ndër ta edhe një femër, shkruan Portali Mërgata.

Por, çfarë nuk tingëllon e re nga e gjithë ngjarja që po raportohet nga nata e mbrëmshme, është emri i lokalit ku ndodhi gjuajtja me armë, “Bon Vivant”, emër ky që nga frengjishtja në shqip nënkupton “duke jetuar mirë”.

Nuk është hera e parë që qytetarët e Prishtinës dëgjojnë për probleme, përleshje, plagosje e vrasje në këtë lokal, pasi që ngjarje të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën në të njëjtin vend.

Hisedar në këtë lokal, me 33.33% të aksioneve është edhe ish-deputeti i njohur i Kuvendit të Kosovës, Uran Ismajli.

Uran Ismajli kishte qenë edhe kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit komunale për kryetar të Prishtinës, por që nuk arriti t’i fitonte.

Sipas të dhënave të ARBK-së, pronarë të kompanisë “Bon Vivant SH.P.K.” janë tre persona, ku 33.3 % të aksioneve janë në pronësi të funksionarit të lartë të PDK-së Uran Ismajli.

Lokali  “Bon Vivant” është shëndrruar në arenë përleshjes  ku shpesh  kanë përfunduar me plagosje dhe vrasje.

Më 13 tetor 2014 kishte ndodhur një incident i rëndë ku si pasojë  ishte vrarë Rrahman Uka, roje në atë lokal.

Sipas aktakuzës së ngritur me korrik të vitit 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Krasniqi ishte dënuar nën cilësimin e veprës penale nga vrasje në pjesëmarrje në rrahje në kohëzgjatje prej 4 vjet e 3 muaj.

Të pandehurit Masar Gërdovci, gjykata i kishte shqiptuar dënim unik me kohëzgjatje prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënimin plotësues konfiskimi i armës e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.

Disa ngjarje të tjera kishin ndodhur më vonë në po të njëjtin lokal, ku një herë ishte demoluar i gjithë lokali nga një i dyshuar, i cili dyshohet se është i përfshirë edhe në gjuajtjen me armë që ndodhi mbrëmë, dhe një herë tjetër, më 30 dhjetor të vitit 2021, kishte ndodhur edhe një incident tjetër ku gjatë inspektimit për masat anti-covid  ishin sulmuar fizikisht  inspektorët komunal nga sigurimi i lokalit. Incidenti përfundoi me shoqërimin në polici të drejtorit të “Bon Vivant”, Genc Gashi. /PortaliMërgata/