Gjashtë të vdekur pas fundosjes së anijes me migrantë në Francë

Gjashtë persona kanë vdekur pasi një anije që bartte migantë drejt Britanisë u fundos në Kanal në orët e para të së shtunës, njoftuan autoritetet franceze, përderisa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë. 

Një zëdhënëse nga autoriteti francez bregdetar, Premar, tha se pesë deri në dhjetë pasagjerë konsiderohen të zhdukur, ndërkaq 55 të tjerë janë shpëtuar. 

Tri anije franceze, një helikopter dhe një avion janë mobilizuar për të kërkuar në zonën afër Sangate në veri të Francës. Në operacionet e kërkim-shpëtimit po marrin pjesë edhe dy anije britanike. 

Një prokuror lokal tha se viktimat e parë ishte një burrë i moshës 25-30 vjeç me origjinë afgane, i cili u evakuua me helikopter për në një spital në Kalais, por më vonë vdiq. 

Pesë personat e tjerë, që ishin në gjendje kritike, që u morën për t’u dërguar me anije në Kalais, por ata u deklaruan të vdekur me të arritur në anije. 

Anija u fundos rreth orës 02:00 në brigjet veriore të Francës, tha prokurori. 

Kryeministrja franceze, Elisabeth Borne, përmes një postimi në X shprehu ngushëllime për familjarët e viktimave dhe lavdëroi përpjekjet e ekipeve të shpëtimit. 

Mbi 100.000 migrantë kanë kaluar Kanalin me anije të vogla nga Franca për në juglindje të Anglisë, që kur Britania ka nisur të regjistrojë ardhjet e tyre më 2018. 

Autoritetet franceze kanë rritur patrullimet dhe kanë ashpërsuar masat, pasi në mars Londra u pajtua që t’i dërgojë Parisit qindra miliona dollarë në vit për këto përpjekje. 

Kjo rrugë është një prej linjave më të ngarkuara detare dhe në të kaluarën janë fundosur disa anije që kanë lënë të vdekur dhjetëra migrantë. 

Ditët e fundit janë rritur përpjekjet për kalimin ilegal të migrantëve pas përmirësimit të motit. 

Të enjten, Premar raportoi se 116 migrantë u shpëtuan, përshirë edhe fëmijë, të cilët po udhëtonin me tri anije të ndryshme. 

Vitin e kaluar, pesë migrantë vdiqën dhe katër të tjerë u zhdukën teksa tentuan të shkonin nga Franca për në Britani.