Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi paralajmëroi sot veprime për rrëzimin e qeverisë Kurti në vjeshtë.
Pas shkuarjes në pushim veror të Kuvendit, Gashi tha se Kosova nuk mundet ta përballojë një qeverise të tillë, siç tha me skandale të njëpasnjëshme dhe nën sanksione ndërkombëtare.
“Sesioni pranveror përfundoi me turp, ashtu siç filloi. Ky sesion dhe kjo qeverisje karakterizohet nga paaftësia, por edhe nga kapja e shtetin, shkeljet kushtetuese. Karakterizohet edhe nga skandale të vajit apo skandalit “zdravo. Po ashtu edhe me korrupsion masiv dhe mbi të gjitha si qeverisje e shkeljeve kushtetuese. Duke ia shtuar kësaj edhe elemente të tjera, si qeveri e sanksioneve ndërkombëtare dhe qeveri e ekskomunikimin ndërkombëtar. Kosova nuk mundet me përballu një qeverisje të tillë dhe nuk duhet të përballojë një qeverisje të tillë. Paaftësia e menaxhimit me Kuvendin, paaftësia e menaxhimit me qeverinë, krimi, korrupsioni, shkeljet kushtetuese janë dëme të mëdha që po i bëhen Kosovës, prandaj ne presim që në vjeshtë të kemi në situatë komplet të re, pasi kjo qeveri nuk duhet të vazhdojë”, tha ai para mediave.
Megjithatë, Gashi tha se do të shohin a do të ketë edhe deputetë të LVV-së që do të votojnë mocionin e mosbesimit në vjeshtë.
“Do të shohim a do të ketë brum edhe brenda LVV-së në vjeshtë që do të dalin dhe do të votojnë një mocion për me rrëzu qeverinë. Përndryshe është e pamundur, duhet me pas njerëz edhe nga brenda LVV-së që do të rrëzojnë qeverinë”, shtoi Gashi.
Ai kritikoi pushtetin se qëllimisht sot e dështuan seancën për t’ia pamundësuar opozitës të diskutojë për “skandalet e qeverisë Kurti”.
“Qëllimisht nuk i kanë mbledh deputetët pasi ata kanë qenë dje në seancë. Qëllimi ka qenë për t’ia pamundësi Kuvendit për të diskutuar për skandalin e fundit që është ai i “zejtinit” pas atij “zdravo”. Ka pas një ide që sot në Kuvend të diskutohet për audio-incizimet e publikuara në lidhje me komunikimin me një person në kërkim ndërkombëtar. Duke e ditë se do të ketë zhvillime në aspektin e diskutimit, pasi s’ka pas indice se do të ketë eskalime të dhunës apo diçka tjetër. Pasi është deklaruar në kryesi se nuk do të ketë eskalime të dhunës, por vetëm diskutime dhe kërkim sqarime. Si duket LVV-ja ka preferuar heshtjen dhe ikjen nga përgjegjësia institucionale në këtë rast”, përfundoi Gashi.