Shtetasi i Kosovës, Esat Muqolli, është liruar sot pasi ishte arrestuar ditë më parë nga policia e Serbisë në pikë-kalimin kufitar në Merdare. Muqolli ka treguar se si ka ndodhur arrestimi, për trajtimin që e kishin pasur nga policia serbe dhe për kushtet gjatë qëndrimit në burg për 48 orë.
Muqolli ka thënë se ishin nis bashkë me mikun e tij për të shkuar në Gjermani, por problemet kishin filluar pasi kishin kaluar në anën tjetër të kufirit.
“Jam nis atë ditë me këtë mikun me shku për Gjermani, për me e marrë një veturë atje. Sa kemi shkuar në Merdar, tek ne kaluem mirë, kur dolëm andej ata na ndaluan. Na morën dokumentet dhe s’na i kthyen. Na thanë shkoni me veturë tek parkingu. Kemi çuar atje veturën, dhe jemi kthyer. Polici që ishte në shallter, ua dha dokumentet nja dy civilëve, dhe ata na kanë shti në atë zyrën e vet. S’kemi ditur pse po na ndalin. Pastaj na kanë thënë se duhet me ardhë në Kurshumli me neve. Arsyen, thanë veç duhet me shku me dhanë një deklaratë. Kemi shkuar atje, kerrin e kemi lënë këtu. Unë shkova me Dervish Maliqin atje”, ka thënë ai.
Tutje Muqolli thotë se i kanë futur në një xhip, dhe u kanë kërkuar për t’i ndalë telefonat. Ai ka treguar se e kishte lënë të ndezur lokacionin, për ta ditur një prej të afërmeve të tij se ku po i dërgojnë policia serbe. Qytetari nga Podujeva ka thënë se ka qenë i shqetësuar meqë nuk e ka ditur se ku po i dërgojnë.