E gjuajti me vezë muralin e kriminelit Ratko Mlladiq, aktivistja serbe dënohet me mbi 800 euro gjobë

Gjykata e Apelit për Kundërvajtje ka nxjerrë aktgjykim të formës së prerë sipas të cilit aktivistja për të drejtat e njeriut, Aida Çoroviq, duhet të paguajë 100.000 dinarë apo 853 euro për shkak se kishte gjuajtur me vezë muralin e kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq dhe sharë policët.

Në aktgjykim thuhet se ajo ka shkelur Ligjin për rendin dhe paqen publike, mirëpo askund nuk thuhet se ka qëlluar në muralin e të dënuarit për krime lufte, kriminelit Ratko Mlladiq, por se ka “gjuajtur në mur”.

“Do të padis policët, pastaj shtetin. Do të shkoj edhe në gjykatën ndërkombëtare, nuk po ngutem”, ka thënë Aida Çoroviq për Danas.

Ngjarja për të cilën ajo u dënua ka ndodhur para dy vitesh, ndërsa në kërkesën për fillimin e procedurës për kundërvajtje, e cila më pas është iniciuar, thuhej se Çoroviq dyshohej për sjellje të pakujdesshme ose të pamatur dhe ofendim të zyrtarëve në kryerjen e detyrës zyrtare.