Dyert e hapura për mërgatën në Kuvendin e Kosovës, ja cilët “pushtetarë” mund t’i takoni aty

Në Kosovë po vazhdon takimi i bashkëatdhetarëve me “pushtetarët”, ata që ndonjëherë përmes mediave duken si të paprekshëm.

Por, jo në Kosovë. Në këtë vend të vogël të Ballkanit Perëndimor, institucionet dhe krerët e tyre kanë hapur derën për të gjithë mërgimtarët, të cilët për arsye të ndryshme jetojnë larg vendit, por nuk harrojnë kurrë që një pjesë të pushimeve t’i kalojnë në vendlindje, shkruan Portali Mërgata.

Mërgimtarët që kanë ardhur në Kosovë këto ditë, kanë pasur rastin që lirshëm të takojnë deputetë të shumtë, përfshirë edhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti, me të cilët kanë pasur rastin të bisedojnë për tematika të ndryshme.

Zakonisht diaspora kosovare japin këshilla se si ata mendojnë që mund të përparojë vendlindja e tyre, që ndoshta në të ardhmen edhe të kthehen për të kaluar vitet e pleqërisë në vendin e tyre, nga i cili presin kushte më të mira.

Për takimin me bashkëatdhetarë ka folur edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka ndarë disa momente me bashkëatdhetarë duke thënë se ishte kënaqësi për të që të takohej e të bisedonte me ta.

“Veprimtaria e mërgatës tonë ka qenë vazhdimisht vendimtare sa i takon çlirimit të Kosovës dhe shtetimit të saj, e deri te kontributi në ekonominë e vendit dhe procesit të demokratizimit të sferës publike dhe institucioneve. Funksioni i saj nuk ka mbaruar dhe as do të përfundojë ndonjëherë, duke qenë element kyç i pandashëm i kombit tonë. Duke qenë e tillë, ne jemi të angazhuar që mërgatës tonë t’ia ofrojmë të gjithë infrastrukturën e nevojshme ligjore që ajo të vijë sa më pranë nesh në mënyrë sa më të lehtë, e nga ana tjetër, institucionet dhe mekanizmat tona të mund të asistojnë sa më shumë mërgatën nëpër vendet përkatëse në Evropë dhe më gjerë”, ka thënë ai. /PortaliMërgata/