Drenicaku mërgimtar aplikon në 37 fakultete të mjekësisë: Pranohet në të gjitha

Konkurroi në 37 universitete të mjekësisë, e në të gjitha u pranua. Por Bleron Hajdari që jeton në Frankfurt të Gjermanisë zgjodhi ta kryejë shkollimin bash në këtë qytet. 18-vjeçari që e përfundoi gjimnazin me notë maksimale 1.0, e ka menduar edhe specializimin që do të kryejë, pas 6 vitesh studime.

“Tash po mendoj me ndjekë ortopedinë dhe kirurgjinë, sepse më pëlqen me punu me sport edhe babi jem është tu punu si ortoped, andaj ky është drejtimi i mjekësisë që e kam pa deri tash më së shumti dhe më është dok më interesant”, deklaroi Hajdari.

Ai tha se synimet i kishte të qarta rreth asaj që dëshironte të arrinte, dhe ia doli me punë e disiplinë. E për sukseset e të riut shkruajtën edhe gazetat gjermane.

“Kam marrë pjesë në gara të historisë, matematikës dhe biologjisë, kam dal i suksesshëm në ato lëndë, e për historinë kam mujt me fitu një çmim nga Ministri i Kulturës i Republikës së Esenit, për atë kanë nis me shkru gazetarët”, pohoi tutje ai për Klanin.

Krenar për të arriturat e Bleronit shprehet babai i tij, që vjen nga Skenderaj e i cili po ashtu vepron në fushën e mjekësisë, ku si ortoped punon në Gjermani tash e 30 vjet.

“Është një fëmijë shume i urtë, i sjellshëm, e i disiplinuar, derisa si pikë plotësuese që e ka zgjedhë rrugën e mjekësisë më bën të ndjehem mirë, megjithëse unë nuk ju kam përzi, ka qenë zgjedhja e tij”, tha Muharrem Hajdari

18-vjeçari do të marrë pjesë në një garë të filozofisë pas një jave, e pastaj do të nis përgatitjet për fakultet.