Doktori nga Kosova që realizoi 13 mijë operacione në Gjermani

Me një përvojë prej 18 vjetësh, me 13 mijë operacione të kryera, doktori kosovar Halil Krasniqi po shpëton jetët e pacientëve me sëmundje vaskulare në Gjermani.

Djaloshi nga Peja që në moshën tetëvjeçare ëndërronte të bëhej human, andaj zgjodhi profesionin e mjekut dhe arriti që në një shtet të huaj si Gjermania të vendoset në pozicionin e shefit të një klinike me 36 krevate dhe 26 bashkëpunëtorë, për shkak të aftësisë profesionale të tij, ku edhe i është besuar kjo kompetencë.

Në dy spitale, ku ka qenë shef i kirurgjisë vaskulare në Gjermani, ka qenë i vetmi i huaj me shtetësi gjermane.

Ai ka qenë shef i kirurgjisë vaskulare në Klinikën Universitare në Haidelbergut të Gjermanisë si dhe ligjërues i kirurgjisë vaskulare dhe anatomisë në këtë universitet.

Por, Krasniqi ka vendosur që humanizmin dhe profesionalizmin e tij ta vërë në shërbim edhe të bashkëkombësve të tij.