Dhjetëra mijëra qytetarë në Beograd protestuan për herë të katërt kundër Vuçiqit

People attend a protest "Serbia against violence" in reaction to the two mass shootings in the same week, that have shaken the country, in Belgrade, Serbia, May 27, 2023. REUTERS/Marko Djurica

Qendra e Beogradit edhe sot ishte arenë e mijëra qytetarëve, por për dallim nga dje që i dolën në mbështetje presidentit serb Aleksandar Vuçiq, sot dolën për ta kundërshtuar atë.

Në protestën e sotme, pjesëmarrës ishin dhjetëra mijëra persona nën sloganin “Serbia kundër dhunës”, transmeton Klankosova.tv.

Kjo protestë u thirr nga opozita dhe është e katërta e këtij lloji që organizohet në Serbi, për të kundërshtuar përgjigjen e Qeverisë serbe pas dy sulmeve masive që ndodhën në fillimi të majit në këtë shtet, kur u vranë 18 persona.

Për shkak të numrit të madh të protestuesve, rrethojat mbrojtëse të vendosura jashtë ndërtesës së Kuvendit serb u lëvizën, në mënyrë që protestuesit të mund të vazhdonin marshimin e tyre drejt ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë, dhe qëllimi i tyre ishte që ky televizion të raportojë për këtë protestë.

Për dallim nga protestat e kaluara, sot transmetuesi publik i Serbisë e mbuloi manifestimin masivisht, duke i dhënë hapësirë kryesore në ueb-faqen e saj e duke e ndjekur minutë pas minute. Po ashtu, pati edhe paraqitje direkte të gazetarëve nga protesta.

Protestuesit ndërkaq kanë një sërë kërkesash, përfshirë edhe shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bratisllav Gashiq, dhe drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vulin.

Ata po ashtu po kërkojnë që të ndryshohet trupi rregullator për mediat elektronike, mbylljen e tabloideve që propagandojnë dhunë dhe shkelin rregullat, si dhe marrjen e frekuencave kombëtare të televizioneve Pink dhe Happy.