Detaje të reja: Vrasja në Prizren ndodhi për një pusetë, kështu rrodhi ngjarja

Një pusetë dyshohet se ka qenë arsyeja se pse ndodhi vrasja e mbrëmshme në Prizren, ku i vrarë mbeti 48-vjeçari, Beqir Morina.

Morina e Aziz Gashi, i kërkuar në cilësinë  të dyshuarit për këtë vrasje, fillimisht kishin pasur një momarrëveshje për një pusetë, e pas një zënke në mes dy të përfshirëve dyshohet se kishte ndodhur edhe vrasja.

Lidhur me rastin ka folur edhe drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Faton Alija.

“Dyshimet tona dhe zyrtare edhe prej dëshmitareve janë se kanë pasur fillimisht një mosmarrëveshje për një pusetë dhe pas asaj zënke ka rezultu me vrasje” – ka thënë Alija.

Arma që dyshohet se është përdorur në këtë në vrasje është gjetur dhe sekuestruar sot. Arma është gjetur në një shtëpi në të cilën dyshohet se është strehuar i dyshuari pas kryerjes së vrasjes.

Nga plumbat që u shkrepën e që të vdekur lanë 48-vjeçarin, Beqir Morina dëme materiale pësoi edhe një veturë që ishte e parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një person shkoi në Policinë e Kosovës e raportoi se një plumb kishte depërtuar në veturën e tij.

Siç mëson KALLXO.com, vetura ishte e parkuar para shtëpisë.

Beqir Morina dyshohet se është vrarë nga i dyshuari, Aziz Gashi që më pas iku nga vendi i ngjarjes.

I dyshuari vazhdon të jetë në arrati edhe sot, më shumë se 12 orë nga ndodhja e rastit.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se i dyshuari Gashi, me prejardhje nga fshati Sferkë të Komunës së Klinës por që po jetonte në lagjen e njëjtë me viktimën.

Tutje siç tregojnë burime të KALLXO.com, të dhënat e para nga raportet policore flasin se viktima ishte në prani të dy familjarëve të tij kur u gjuajt drejt të njëjtit me armë automatike.

Dy familjarët kanë arritur të shpëtojnë pa lëndime ndërsa 48-vjeçari ka vdekur.

Në raportin e sotëm 24-orësh policor është thënë se deri më tani PK ka kryer disa bastisje në disa lokacione të ndryshme në kërkim të vendndodhjes së dyshuarit.

Personi që po kërkohet nga policia për këtë rast, dyshohet se kreu krimin e më pas u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë edhe armën që përdori me vete.

Tutje është thënë se me vendim të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.