Dështon ministria: S’ua blen më librat nxënësve, i detyron prindërit

Ministria e Arsimit ka thënë se është duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë e kalimit të përgjegjësisë për blerjen e teksteve shkollore te prindërit.

Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi ka thënë se mjetet për blerjen e teksteve shkollore do të paguhen nga buxheti i shtetit përmes rimbursimit.

Kelmendi, i paraqitur në një konferencë për media së bashku me ministren Arbërie Nagavci të hënën, tha se mjetet për blerjen e teksteve shkollore do t’u kalohen prindërve përmes platformës e-kosova.

“Jemi duke e shqyrtuar mundësinë që mjetet për blerjen e librave të kalojnë drejtpërdrejt për prindrit. Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave jemi në përfundim të modulit për aplikim në platformën e-kosova dhe shumë shpejt do ta bëjmë publik linkun ku mund të aplikojnë të gjithë prindrit dhe kujdestarët e fëmijëve”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka pohuar se ka dështuar procesi i negocimit për blerjen e librave shkollore direkt nga Ministria e Arsimit.

Kelmendi ka akuzuar shtëpitë private botuese për çmime të papërballueshme të teksteve shkollore.

“Ne edhe këtë vit kemi zgjedhur një kryenegociues nga MASHT-i, i cili ka negociuar për çmimin e librave shkollore veç e veç për secilin libër. Edhe pas shumë tentimeve për të zbritur çmimet në nivelin e përmballueshëm për buxhetin e ndarë për tekstet shkollore, shtëpitë botuese nuk kanë pasur mirëkuptim. Madje, së fundmi ata na kanë dërguar letër se çmimet e tyre janë të panegociueshme më tutje. Kjo situatë është e papërballueshëm për MASHT-in dhe buxhetin e shtetit”, ka thënë ai.

“Për shembull libri Shtëpia dhe Mjedisi, bashkë me fletoren ndihmëse kap shifrën e 27 euro. Sigurisht kjo shifër është e papërballueshme për buxhetin e shtetit”, ka deklaruar Kelmendi.