Debat i ashpër në SHBA, kongresmeni Self i thotë të gjitha: Në vend që t’i mbroni kryetarët e zgjedhur në veri të Kosovës, ju po mbroni serbët

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Douglas D. Jones, është “zënë” pakëz ngushtë nga kongresmeni Keith Self, kur është pyetur rreth zgjedhjeve të reja që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po kërkojnë për komunat veriore në Kosovë.

“Zgjedhjet janë mbajtur sipas rregullave dhe njerëzit të cilët kanë fituar zgjedhjet kanë marrë zyret. Pse po kërkoni zgjedhje të reja?”, është pyetur Jones nga Self, transmeton Portali Mërgata.

Ndërkaq, Douglas ka sqaruar situatën në veri të Kosovës, duke thënë se serbët kanë bojkotuar këto zgjedhje.

“Pra, plani që përfshin zgjedhjet e reja iu referohet zgjedhjeve në Kosovë, të cilat janë bojkotuar nga serbët në Kosovë. Ne kemi njohur se kryetarët janë zgjedhur sipas rregulalve, sidoqoftë ata nuk kanë mundur të ushtrojnë detyrat e tyre dhe tentimi për të shkuar në zyret e tyre ka rezultuar me dhunën”, ka deklaruar Jones.

“Kryetarët e zgjedhur po mundohen të kryejnë detyrat e tyre, të futen në zyrët e komunës dhe ne po “ndihmojmë” që kjo të mos ndodh? Supozohet se ne duhet të mbështesim këta kryetarë. Pse po ndodh kjo?”, ishte kundërpërgjigjja e Self.

“Këta kryetar për shkak të bojkotit janë zgjedhur me përqindje shumë të ulët”, u mundua të arsyetohej Jones për situatën në veri të Kosovës, ndërsa nuk mungoi përgjigjja e shpejtë e kongresmenit Self.

“Kjo ndodh çdo ditë në Amerikë, kemi zgjedhje lokale ku përqindja është 10 përqind. Dhe ne nuk  shkaktojmë trazira për shkak se kemi përqindje të vogël të votuesve”, ishte përgjigjja e tij.

“Por kjo ka shkaktuar që një përqindje e madhe e popullatës të ndjehet e përjashtuar. Por, ata vet e kanë bërë këtë lloj zgjedhje. Ata janë të gatshëm që të kthehen dhe të votojnë dhe ne po i inkurajojmë ngase besojmë se kjo do të rezultojë më një proces i cili do të krijojë stabilitet dhe me një qeverisje e cila do të përfaqësojë ata dhe do të ndihmojë në dhënien fund të konfliktit”, tha tutje Jones.

“Problemi i vërtetë që shoh unë është se Departamenti i Shtetit po mundohet ta largojë Serbinë nga orbita e Rusisë. Ju po ndërhyni në zgjedhjet të cilat janë mbajtur në mënyrë demokratike. Ju po ndërhyni tek njerëzit të cilët janë zgjedhur në proces të rregullt. Ju po krijoni hidhërim me këto zgjedhje lokale. Ne kemi njohur Kosovën. Ju inkurajoj që të rimendoni pozicionin tuaj në këtë konflikt midis serbëve dhe kosovarëve sepse ju duhet të jeni me zbatimin e Ligjit që është përkrahja e kryetarëve të cilët po mundohen të kryejnë detyrat e tyre. Ju nuk do të mund ta largoni Serbinë nga orbita e Rusisë”, deklaroi në fund Self.

Kujtojmë se situata në veri të Kosovës vazhdon të qëndrojë e njëjtë, derisa kryetarët e rinjë kanë pranuar detyrat e tyre dhe po mundohen të fillojnë punën e tyre të rregullt bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. /PortaliMërgata/