Dalin detaje: Serbi i arrestuar për krime lufte kishte torturuar shqiptarë në burgun e Lipjanit

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka dhënë detaje për aksionin e arrestimit të serbit gjatë ditës së sotme i cili dyshohet për krime lufte. 

Në një postim në Facebook, Sveçla ka thënë se personi në fjalë dyshohet se në cilësinë e gardianit, gjatë luftës, ka ushtruar dhunë e torturë ndaj të burgosurve shqiptarë, shkruan Portali Mergata.

Përveç arrestimit, në banesën e të dyshuarit janë gjetur edhe armë e municione. 

Postimi i plotë i Sveçlës: 

Pjesëmarrësit në krimet makabre gjatë luftës në Kosovë duhet të mbahen përgjegjës. 

Ndaj personit të arrestuar sot në Graçanicë, ka patur një punë të gjatë hetimore, nga e cila janë mbledhur prova të mjaftueshme për ekzistimin e dyshimit për pjesëmarrje në krimet gjatë kohës së luftës. 

Në cilësinë e gardianit të burgut në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, gjatë asaj periudhe, në mënyrë sistematike, dyshohet se ka ushtruar torturë e dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve shqiptarë, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë. 

Gjatë kontrolleve të zhvilluara dhe bastisjes në banesën e të dyshuarit ditën e sotme, janë gjetur dhe konfiskuar armë ilegale në posedim të personit. 

Përgëzoj Policinë e Kosovës për punën e jashtëzakonshme të zhvilluar gjatë hetimeve si dhe për arrestimin.  

Sado që vitet kalojnë, keqtrajtimet dhe torturat e atyre viteve nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar. Përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë. /PortaliMërgata/