Blakaj me Haradinajn takojnë mërgimtarët në Munchen: Qeveria po i përbuzë invalidët e veteranët

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur sot një takim me mërgimtarët në Munchen të Gjermanisë. 

I pranishëm në këtë takim ishte edhe biznesmeni i njohur që ka pozitën e kryetarit të partisë në diasporë, Ukë Blakaj, shkruan Portali Mërgata. 

Në një fjalim të tij, Blakaj tha se AAK është ndër partitë politike më të organizuara në Gjermani. 

Sipas tij, AAK në mërgatë është adresë e besim për diasporën. 

Tutje, në situatën aktuale në të cilën ndodhet Kosova, sipas Blakajt, lideri i AAK-së dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, është i vetmi që mund ta ndalë degradimin gjithëpërfshirës që ai thotë se e ka kapluar vendin. 

Postimi i plotë i Blakajt: 

Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës(AAK), mbajti takim me bashkatdhetarët në München. 

Në këtë takim morën pjesë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, deputetët Time Kadrijaj dhe Bekë Berisha, kryetari i AAK-së për Bavari, Selim Hoti, si dhe aktivistë të tjerë të AAK-së. 

Gjatë fjalimit tim, në cilësinë e kryetarit të AAK-së për Gjermani, theksova se tashmë AAK-ja është një ndër subjektet politike më të organizuara në Gjermani, si dhe më të mbështetura nga lidershipi i partisë. 

Po ashtu, vlerësova se AAK-ja jo vetëm në Kosovë, por edhe te bashkatdhetarët në Gjermani, po bëhet adresë, besim dhe shpresë për t’u organizuar dhe për të kontribuar për proceset politike, ekonomike, kulturore dhe sportive në Kosovë. 

Marrë parasysh zhvillimet e fundit politike, veçmas gjendjen e tensionuar në veri, prishjen e raporteve me miqtë ndërkombëtarë, si rezultat i një politike pa vizion, theksova se Kosova sot më shumë se kurrë ka nevojë për AAK-në, ka nevojë të udhëhiqet nga lideri ynë, Ramush Haradinaj. 

Shfaqa mendimin se vetëm AAK-ja, vetëm Ramush Haradinaj, mund të ndalë degradimin e Kosovës, keqqeverisjen dhe t’ia kthejë shpresën qytetarëve, t’ia kthejë dinjëtetin familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, kategori këto të cilat janë më meritore për lirinë e Kosovës, e të cilat fatkeqësisht po nënçmohen dhe po përbuzën nga Qeveria Kurti. /PortaliMërgata/