Ish presidenti amerikan, Bill Klinton ka mbërritur në aeroportin e Rinasit dhe më pas është nisur drejt Tiranës.
Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës viziton sot për herë të parë tokën shqiptare, ku do të qëndrojë deri më 4 korrik, ditë që përkon me pavarësinë e SHBA.
Klinton është pritur nga kryeministri Edi Rama, i cili e quan mikun e përjetshëm të kombit shqiptar.
“Me presidentin Bill Clinton, mikun e përjetshëm të kombit shqiptar, i cili sapo shkeli për herë të parë në Shqipëri. Jeni të mirëpritur të gjithë tek Kryeministria, sot në 18:30 për ceremoninë e mikpritjes së Presidentit Clinton dhe adresimin e tij për të gjithë shqiptarët”, shkruan Rama në Facebook.
