“Lirimi i tre policëve nga Serbia është vetëm falë qëndresës nga qeveria e Kosovës”.
Është kjo deklarata e avokatit Tomë Gashi, i cili tha se Serbia tentoi shkëmbimin mes 3 policëve, me personat e dyshuar për sulmet në veri të Kosovës, gjë e cila nuk u pranua nga qeveria e Albin Kurtit.
Sipas Gashit, të gjithë po tentojnë të marrin merita për lirimin, përfshirë këtu edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, apo presidentin e Hungarisë, Viktor Orban.
“Situata është e tillë, që ata u rrëmbyen për tu liruar dhe jo për tu mbajtur për një kohë të gjatë, unë mendoj se konsistenca e qeverisë Kurti ka çuar në lirimin e tyre. Serbia e ka përdorur rrëmbimin për çështje të brendshme politike, pasi autoritetet e Kosovës arrestuan një prej paramilitarëve më të rrezikshëm serb.
Ishte si një ndërrim mes policëve, dhe personave terroristë që janë arrestuar në Kosovë. Ne nuk mund të shkatërrojmë sistemin gjyqësor, për hatër të Vuçiç. Zoti Rama dhe të tjerë dëshirojnë që të marrin merita për lirimin e policëve tanë, ne i kemi parë edhe postimet që janë bërë, edhe zoti Orban që deklaroi se lirimi ishte meritë e tij.
Kemi parë deklarime dhe të llojllojshme dhe në Kosovë, edhe zoti Rama dëshiron që të marrë merita të tij, vetëm se qëllimisht ose jo Rama i bën fajtorë të dy palët. Por ne e dimë se kush po i nxit tensionet në Kosovë.
Ne jemi në të drejtën tonë, po veprojmë në të drejtë të ligjit, kushdo që kryen veprime të dhunshme dhe terroriste do të përballet me drejtësinë.
Roli i Hungarisë në lirimin e tre policëve është zero, kjo ka ndodhur vetëm se Kosova nuk u dorëzua nga trysnia që i është bërë, sa për Hungarinë, policët do të ishin me vite të tëra në burg”, u shpreh Gashi në Fax News.