Anëtari i AAK-së me akuza të rënda ndaj VV-së: Qeveria Kurti ka problem të thellë me UÇK-në

Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës, ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, Ligjin për Pagën Minimale, pas miratimit nga mazhoranca, në seancën ku pati përplasje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe ministrave e deputetëve të VV-së.

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Labinot Gjini ka thënë se presin që Gjykata Kushtetuese ta pranojë kërkesën e tyre me argumentimet e duhura juridike për të rrëzuar ligjin në fjalë.Gjini e ka quajtur diskriminim dhe shkelje ligjore mospërfshirjen e veteranëve të luftës në Ligjin mbi Pagën Minimale.

Ai tutje ka thënë se kjo qeveri ka një problem të thellë me luftën e UÇK-së dhe të arriturat e saj, me të gjithë elementet e saj që sot janë veteranët. Sipas tij veteranët me vite kanë qenë caku i VV-së.

Gjini ka deklaruar se audio-incizimet e bisedës mes shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari me ish deputetin e Listës Serbe, Simiq dëshmojnë që një ka një lloj konspirimi kundër luftës së UÇK-së dhe veteranëve.

“Rasti i pagës minimale ku nuk përfshihen veteranët e luftës e tregon qartazi që është një luftë që ata të margjinalizohen brenda shoqërisë shqiptare”, tha Gjini.