Ushtria e Serbisë i ka pranuar 66 automjete të blinduara të lehta Humvee (HMMËV – High Mobility Multipurpose Wheeled Vehicle) të të blera me kontratë të drejtpërdrejtë tregtare me kompaninë amerikane AM General.
Për këtë ka njoftuar vetë ambasada amerikane në Beograd.
Në faqen e Instagramit të Ambasadës Amerikane në Serbi, shkruhet se automjetet ndodhen në kazermën në Pançevë dhe do të përdoren ndër të tjera edhe për qëllime të pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.
”Këto nuk janë vetëm automjete amerikane, ky është një standard i NATO-s. Kur sheh se me kë është dislokuar ushtria serbe në misione paqeruajtëse, dhe partnerë në Liban janë Spanja dhe Italia, dhe në Sinai janë SHBA-të, ajo që kemi të përbashkët është standardi i NATO-s. Posedimi i automjeteve të tilla i mundëson Serbisë që të jetë pjesë e çdo misioni paqeruajtës nëpër botë, të reagojë shpejt, si dhe të dislokohet krah për krah me partnerët e saj”, thuhet në njoftim.
E automjete të njëjta ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte pranuar edhe Republika e Kosovës në vitin 2018.
Në atë kohë, në media ishte raportuar se ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, po i testonte disa pajisje të rënda ushtarake për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e që do të dhuroheshin nga SHBA.

Po atë vit, në rrjete sociale kishin qarkulluar edhe fotografi të Veselit në automjetet “Humvee”, të ngjashme me ato që tash i janë dhuruar Serbisë.
Në vitin 2018, Kosova kishte pranuar 25 automjete ushtarake të tilla, ndërsa raportohej se në total do të pranonte plot 50 autoblinda të tilla.
Kujtojmë se fotografitë e Veselit që shihej në automjetet e rënda ishin realizuar kur ish-lideri i PDK-së, po qëndronte në vitin 2018 në një bazë ushtarake amerikane duke parë nga afër këto automjete që SHBA-ja do t’ia dhuronte FSK-së në fazën tranzitore.
Së fundmi, Qeveria aktuale e Kosovës ka blerë dronë “Bayraktar” nga Turqia, ndërsa kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar për media se është dyfishuar edhe buxheti për ushtrinë, duke marrë parasysh edhe shtimin e forcave serbe në kufirin afër Kosovës.
“Duhet të jemi të kujdesshëm”, ka deklaruar shkurtimisht Kurti për media pas blerjes së dronëve nga Turqia. /PortaliMërgata/
