“Alba Festival” bëhet mollë sherri, komentuesit zviceran ‘kapen’ mes vete: Mua më kanë pritur ngrohtë në Kosovë

Anulimi i “Alba Festival”, një festivali i cili organizohet në Zvicër, ka bërë bujë edhe në mediat zvicerane.

Ai është anuluar për shkak të kohës së shkurtë që i është dhënë në dispozicion për t’u organizuar, andaj edhe është anuluar fare pasi që organizatorët kanë llogaritu që nuk kanë kohë të mjaftueshme për organizim, në bazë të lejes që i është ofruar nga institucionet vendase, shkruan Portali Mërgata.

Anulimi i festivalit është bërë i ditur edhe nga mediat e mëdhaja zvicerane.

Në një postim të “20 Minuten” në Facebook, komentuesit kanë gjetur kohë edhe të japin mendimet e tyre rreth këtij festivali, por kjo e ka çuar diskutimin në një tjetër nivel, pasi që kanë qenë komentuesit zviceran ata që kanë debatuar më shumë me njëri-tjetrin rreth çështjes se a duhet të lejohet ky festival apo jo, duke marrë parasysh se është i destinuar më shumë për shqiptarë në diasporë.

Disa zviceranë kanë deklaruar në komente se nuk duhet të lejohen të organizohen festivale për një etni, siç është ajo e shqiptarëve, pasi që nuk ka vend për nacionalitetet e tjera.

Por, ka pasur komente të tjera pozitive që kanë thënë se festivali ka qenë i hapur për të gjithë, por njerëzit zgjedhin ku duan të shkojnë.

“Duhet të mbahet në Ballkan, Shqipëri, jo tek ne”, ka shkruar një komentues zviceran.

“Komentet të bëjnë të mendosh edhe nëjherë. Unë kam qenë gjithmonë i mirëpritur ngrohtë në Kosovë. Ka një popull shumë mikpritës. Ata e festojnë edhe 1 Gushtin (Ditën Kombëtare të Zvicrës). Janë shumë të lidhur me Zvicrën. Ushtria jonë gjithashtu mbron popullin e tyre. Unë kam pranuar edhe ftesa për ditëlindje e martesa në Kosovë. Populli atje janë shumë të lumtur kur ju keni interes në kulturën e tyre dhe ju fusin në rrethin e tyre menjëherë. Është për të ardhur keq që nuk dini të trajtoni më mirë, por vetëm të trajtoni si pisllëk çdo gjë të dikujt tjetër. ‘Alba Festival’ është i hapur për të gjithë, por së pari duhet të jeni të hapur ju vetë”, ka deklaruar një komentues tjetër, gjithashtu zviceran.

Ndërkaq, një shqiptar ka komentuar duke deklaruar duke thënë se shkrimi i mediumit “20 Minuten” nuk  qëndron.

“E dashura ’20 Minuten’, festivali nuk është anuluar shkaku i rrezikut por për shkak se qyteti i Cyrihut ka marrë vendim shumë vonë dhe nuk ishte e mundur që të bëhej organizimi dhe konstruktimi i skenës për një kohë të shkurtë. Si një shqiptar, unë mendoj se është shumë keq që nuk po organizohet. Por, prap jam i lumtur me këtë ekipë sepse për të organizuar diçka si kjo duhet të ndërmarrësh shumë rrezik. Të shohim çfarë po ndodh vitin tjetër”, ka deklaruar shqiptari. /PortaliMërgata/