Alarmon Memli Krasniqi: S’i kam parë asnjëherë më të zhgënjyer ndërkombëtarët

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur pas takimit që ka zhvilluar me Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak, dy emisarët special të BE-së dhe SHBA-së për Ballkanin dhe Kosovës.

Në një prononcim para mediave, Krasniqi tha se asnjëherë më parë nuk ka parë shqetësim të tillë nga partnerët e Kosovës.

Madje thotë se nuk është e lehtë të dëgjosh nga ta që kanë një zhgënjim kaq të thellë.

“Diskutuam për zhvillimet e fundit. Dëgjuam qëndrimet që janë të njohur. Shqetësimi është i madh është se nuk ka lëvizje përpara, po dëmtohet Kosova. Shprehëm gatishmërinë për të ruajtur relacionet me ShBA-në, nuk është diktuar për tema konkrete. Nuk ka pasur kërkesa përtej informimit për situatën. Asnjëherë nuk kam pa aq shqetësim nga partnerët, nuk është e lehtë të dëgjosh që ata të shprehin zhgënjim kaq të thellë”, tha ai.

Krasniqi tutje potencoi se zgjidhja e situatës duhet të jetë tek Qeveria dhe presidenca, të cilët janë të zgjedhur të popullit për të zgjidhur problemet.

“Zgjidhja është Qeveria, përgjegjësitë janë te Qeveria, te presidentja. Populli i ka zgjedhë këta njerëz për t’i zgjidhur problemet, jo për t’i krijuar. Ne kemi vetëm kriza për këto dy vjet të shkaktuara nga kryeministri i Kosovës, të mbështetura nga presidentja. Është e paarsyeshme që presidentja të vazhdojë të heshtë”, tha tutje Krasniqi.

“Ajo ka përgjegjësi dhe mes tjerash është edhe komandante supreme e Ushtrisë së Kosovës dhe përjashtimi i saj nga stërvitja Defender Europe nuk mund të merret me këtë qasje injoruese. Ajo duhet të flasë edhe për shuarjen e ëndrrës së 1000 ushtarëve tanë. Kërkesat janë publike ne i dimë”, shtoi ai.