Policia e Kosovës njofton se sot ka realizuar kontroll në dy lokacione të ndryshme në Prishtinë, nën dyshimin se janë shfrytëzuar për përpilimin e dokumenteve të falsifikuara.
Bëhet e ditur se deri te kjo erdhi pas dyshimeve të bazuara se i dyshuari A.G. mashkull/ kosovar në bashkëveprim me të dyshuarin Y. H. i cili gjendet në arrati, kanë falsifikuar dokumente dhe dyshohet se kanë arritur të tjetërsojnë një parcelë me sipërfaqe prej 9 hektarësh me vlerë të përafërt të tregut rreth 10 milionë euro, me ç’rast të njëjtit pasi që kanë bartur pronat në emër të tyre i kanë parcelizuar dhe më pas i kanë shitur ato te personat e tretë duke i mashtruar.
Organet e rendit njoftojnë se gjatë kontrollit të kryer në shtëpinë e të dyshuarit, janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:
1 (një) pistoletë, 1 karikator me 9 fishekë, 50 fishekë, 2 pistoleta me gas, 4 pushkë ajrore, 2 llaptopë, 1 shtëpizë kompjuteri, 1 telefon celular, 5680 euro para të gatshme, 685 dollarë amerikan, 100 franga zvicerane si dhe rreth 500 dosje të lëndëve të ndryshme, në brendësi të të cilëve kishte: Fletë poseduese, autorizime, kopje të planeve, historik të pronave, harta kadastrale, (kryesisht të Regjionit të Prishtinës), vendime, kontrata të ndryshme të noterizuara të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.
Ndaj personit të dyshuar është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Legalizimi i përmbajtjes se rreme”, “Mashtrim”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.