Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, ku një 28-vjeçar është gjetur i vetëvrarë brenda një veture. Rasti ka ndodhur në lagjen “Mati 1” në Prishtinë.
Ermal Vitia, një 28-vjeçar nga Prishtina, është gjetur i vdekur në një veturë mbrëmë në lagjen Mati 1 në Prishtinë, shkruan Portali Mërgata.
Sipas dyshimeve të para dhe këqyrjes së vendit të ngjarjes, viktima është vetëvrarë. Dyshimet nga Prokuroria, janë se ai i dha fund jetës me armën e babait të tij që është polic. Detaje mbi motivet e vetëvrasjes nuk dihen.
Çka thotë policia?
Policia thotë se trupin e viktimës e ka gjetur rreth orës 21:00 në kryeqytet. Menjëherë pas rastit, organet e rendit thonë të kenë dalë në vendin e ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës.
“Rreth orës 21:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në një veturë në rrugën “Sokol Sopi” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi i mjekëve emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, rreth 28 vjeç. Përkundër që mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vetëvrasje, policia me kujdes të shtuar po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen”, thanë nga Policia e Prishtinës.
Familja në zi:
Për varrimin e viktimës nuk dihet ende. Me gjasë, familja do të duhet të presë derisa të bëhet autopsia e trupit.
Një familjar i ngushtë ndërkaq ka folur në rrjete sociale për vdekjen e Ermalit.
“Aiiii Ermal na kpute shpirtin. Ju lajmrojm me shume dhimbje per vdekjen e te dashurit ton Ermal Vitia. Per daten e varrimit ju lajmerojme me vone”, shkruan ai. /PortaliMërgata/