Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar për kapjen me drogë të asamblistit të VV-së në Prishtinë, Besnik Mujeci.
Në një postim në Facebook, ai ka rikujtuar sërish faktin se Mujeci ishte emëruar aksionar në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Ai thotë se ky emërim ishte pazar për një qëllim më të thellë.
“Ftoj Prokurorinë e Shtetit të hetojë këtë rrjet; në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë process”, tha Abdixhiku.
Postimi i tij i plotë:
Të dashur qytetarë,
Muaj më parë, Lëvizja Vetëvendosje kishte provuar me pazaret më të pabesueshme të mundshme, të përmbyste vullnetin e qytetarëve të Prishtinës, duke kapur ndërmarrjet publike të Kryeqytetit.
Kjo tentativë e trishtë e tyre, kishte dështuar pa nisur mirë; ndonëse përballë na shpërfaqeshin grupet kriminale më të çuditshme. Se si ishin bërë bashkë të gjithë kundër shumicës sonë; ishte sa dëshpërim për nivelin politik në vend, aq dhe befasi. Kishte një interes që nuk e kuptonim dot atëherë.
Synim asokohe – ndër të tjerash – ishte dhe marrja e Stacionit të Autobusësve të Kryeqytetit.
Sot, teksa një asambleist i tyre është arrestuar me plot 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro; si pjesë e një rrjeti që me linjat e autobusëve Prishtinë – Tiranë bartnin narkotikë në vazhdimësi; nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së Kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asambleist – pikërisht këtë pra – si aksionar në këtë Stacion. Jo Termokos, Prishtina Parking, NPB, Pallat të Rinisë apo dhe secilën ndërmarrje tjetër në Kryeqytet, por vetëm në Stacion; aty ku linjat e autobusëve niseshin për çdo ditë.
Pazaret e tilla duket se kanë patur një qëllim më të thellë. Prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistimi atëherë.
Ftoj Prokurorinë e Shtetit të hetojë këtë rrjet; në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces.
Qytetarët e Prishtinës i sigurojmë se bandat e tilla narkotike, s’do të kenë asnjëherë hapësirë në Kryeqytet. Prishtina e para ka provuar mashtruesit, e para është liruar nga ta. Po punojmë, nëpërmjet ‘Rrugës së Re’ për përfundim të njëjtë në gjithë Kosovën.