Abdixhiku kritika qeverisë: Nuk e shtruan asnjë rrugë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar sërish për paaftësi Qeverinë Kurti.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se Qeveria Kurti, në tri vite mandat nuk e ka përmbyllur asnjë rrugë të vetme në gjithë Kosovën.

Ai thotë se qytete të tëra janë lënë në harresë tash e sa vjet që Kurti është në pushtet.

“Sot, në vitin e tretë të mandatit, flasin për tunele, Prizren – Tetovë, 200 milionë. Muhabetet s’kushtojnë. Ato megjithatë na shpërfaqen të njëjta sikurse para tre viteve. Njëjtë me të njëjtat premtime dalin dhe sot”, tha ai.

Ai ka përmendur edhe organizimin e protestës së djeshme pro-qeveritare, kundër analistëve.

“Të zënë me organizimin e protestave për mbështetje ndaj vetes – merreni me mend – të fiksuar me diskutime ndaj të shkuarës, të angazhuar në ndarje, sharje e përçarje – pra në thatësi politike – kjo Qeveri nuk ka mundur të bëjnë as edhe një hap të vetëm në zhvillimin infrastrukturor të Kosovës”, shkroi i pari i LDK-së.

Postimi i tij i plotë:

RRUGËT QË S’U BËNË DHE RRUGA E RE

Po e permbyllin vitin e tretë në Qeveri, por s’kanë përmbyllur dot një rrugë të vetme në gjithë Kosovën.

As atë për Mitrovicë, as atë për Podujevë, as për Pejë, as për Gjilan e as për Gjakovë. Qytete të tëra të lëna në harresë tash e tre vjet! Qytetarë të tërë të maltretuar për çdo ditë.

Projekti i vetëm i madh kapital që ndodhë sot në vend është ai i ‘Rrugës A’ në Kryeqytet; aty ku Qeveria qendrore – fatmirësisht – nuk ka asnjë rol.

Sot, në vitin e tretë të mandatit, flasin për tunele, Prizren – Tetovë, 200 milionë. Muhabetet s’kushtojnë. Ato megjithatë na shpërfaqen të njëjta sikurse para tre viteve. Njëjtë me të njëjtat premtime dalin dhe sot.

Të zënë me organizimin e protestave për mbështetje ndaj vetes – merreni me mend – të fiksuar me diskutime ndaj të shkuarës, të angazhuar në ndarje, sharje e përçarje – pra në thatësi politike – kjo Qeveri nuk ka mundur të bëjnë as edhe një hap të vetëm në zhvillimin infrastrukturor të Kosovës.

Në programin e ‘Rrugës së Re’ të gjitha projektet kapitale për qytetet e mëdha në vend do të përfundojnë brenda 30 muajve. Aq kohë duhet. Aq kohë do të marrin. Aq kohë do të kenë. Dhe, natyrisht, jo me çmime absurde 12-13 milionëshe për kilometër, edhe më pak me aneks marrëveshje që falnin nga 54 milionë, por me kujdes ndaj parasë publike e pa ngarkesë buxhetore që paralizojnë sektorë të tjerë.