AAK ka gati mocionin për rrëzimin e Kurtit: Kontakton PDK-në dhe LDK-në

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti është përpiluar dhe se tani janë në diskutim me dy partitë opozitare.

Kështu ka thënë ai pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, duke shtuar se AAK-ja e ka paralajmëruar Qeverinë Kurti që të mos i mbajë zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të vendit.

“Lista Serbe nuk është në pozicion të kushtëzoj Kosovën, e as Vuçiqi. Ne kemi shtet dhe institucione dhe parlament”.

“Në si AAK kemi qenë tepër të sinqertë me këtë qeveri. Ne kemi dalë në foltore dhe i kemi thënë kryeministrit mos hyj në zgjedhje se je duke hyrë në një eksperiment që nuk mund i del në krye dhe ndodhi ajo që u tha”.

Sipas tij, zhvillimet e fundit në veri kanë qenë një eksperiment që nuk i ka sjellë asgjë Kosovës, vetëm e ka dëmtuar si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar.

“Mocionin e kemi nis, e kemi përpiluar, do të jetë në diskutim me dy partitë opozitare për t’i dhënë komentet e tyre. Do të shohim se kur do të vendoset”.