Rasti i arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës në Jarinjë, nga serbët, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë e diasporë.
Kjo për shkak se shumë qytetarë kanë qenë të painformuar se si ka ndodhur ngjarja saktësisht dhe si arritën forcat serbe të arrestojnë tre zyrtarët policorë kufitarë të Kosovës, shkruan Portali Mërgata.
Disa nga qytetarët në rrjete sociale i kanë nënvlerësuar zyrtarët e arrestuar për shkak të mos-reagimit të tyre, pasi që ata kanë menduar se policët tanë është dashur të mbrohen me armë zjarri, duke marrë parasysh se dyshimet e para kanë qenë që serbët kanë hyrë brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Por, përdorimi i armës në momente si ky i fundit, shpesh herë mund të sjell pasoja edhe më të mëdha sesa që është pritur, duke përshkallëzuar kështu situatën deri në një konflikt të armatosur mes dy palëve, gjë që nuk i duhet Kosovës në këtë moment, por që Serbia vazhdon ta provokojë.
Kur ka të drejtë zyrtari policor i Policisë së Kosovës të përdorë armën e zjarrit?
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në nenin 27-të, të ligjit përcaktohen momentet kur policëve iu lejohet të përdorin armët.
Rastet kur një polic drejton armën karshi dikujt që dyshohet për një vepër penale janë shumë specifike.
“Zyrtari policor është i autorizuar të posedojë dhe ta bartë armën zyrtare të zjarrit të lejuar nga policia. Zyrtari policor është i autorizuar ta përdorë armën e zjarrit vetëm atëherë kur është absolutisht e domosdoshme dhe vetëm deri në atë nivel që kërkohet për ta arritur objektivin ligjor të policisë, kur përdorimi i saj është në proporcion me shkallën e rrezikut dhe seriozitetin e veprës penale në atë situatë, dhe vetëm nëse konsiderohet se me përdorimin e mjeteve më të vogla të forcës nuk do të arrihen objektivat legjitime të policisë”, kanë deklaruar nga Policia e Kosovës në rastet kur zyrtarët policorë kishin përdorur armën ndaj ndonjë personi të dyshuar.
Mirëpo, ligjet me të cilat funksionon Policia e Kosovës duket se janë mjaft të qarta për çdo lëvizje që i lejohet apo jo të bëjë një polici.
“Ligji i policisë përcakton shumë mirë se si Policia mund të përdor armët në momente të caktuar atëherë kur mbron jetën e qytetarëve e jetën e tyre në momente të caktuara. Mendoj që në këtë drejtim s’ka shumë për tu thënë pasi ligji e përcakton mjaft mirë kur duhet të përdoret arma. Më heret ishin rregulloret e UNMIKU-t, pastaj është bërë ligji në vitin 2008 për Policinë e Kosovës, ku janë të përfshira të gjitha standardet”, ka thënë Nuredin Ibishi – njohës i çështjeve të sigurisë.
Zyra për informim në Policinë e Kosovës nuk ka dhënë statistika se sa është numri i rasteve kur zyrtarët policorë kanë gjuajtur në drejtim të të dyshuarve që nuk iu kanë bindur urdhërave të policëve. /PortaliMërgata/