Vetura e dyshimtë me targa të Beogradit në veri, policia zbulon arsenalin e armëve

Policia e Kosovës ka identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100 metra larg Komunës së Zveçanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municione ushtarake, që dyshohet se do të shërbenin për ndonjë sulm-terrorist ndaj qytetarëve apo institucioneve të Republikës së Kosovës.


Lajmin e ka bërë të ditur përmes Facebook, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se vetura e dyshuar është zbuluar nga informacionet e pranuara nga institucionet e sigurisë së Kosovës, shkruan Portali Mërgata.

“Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë. Policia e Kosovës bashkë me të gjitha organet tjera të sigurisë vazhdojnë angazhimet e tyre në parandalimit e cdo akti të mundshëm që synon cënimin e sigurisë së vendit tonë. Ky rast konfirmon informacionet e pranuara nga Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake”, ka thënë Sveçla.