Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mesnatën ndërmjet të mërkurës dhe të enjtes.
Disa persona kanë hyrë në një kafiteri në fshatin Runik të Skenderajt, ku ka mbetur i vrarë një person dhe kanë mbetur të plagosur edhe tre të tjerë.
Policia ka njoftuar se nga hetimet e para dyshohet se dy persona kanë hyrë në një kafiteri dhe kanë shtënë, ndërsa policia i ka nisur hetimet e në vend ngjarje janë gjetur disa gëzhoja.
Trupi i viktimës është dërguar në obduksion ndërsa të dyshuarit janë në kërkim të policisë.
Njoftimi i plotë:
Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor.
Bazuar në hetimet fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja.
Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore .
Hetuesit e Sektorit Rajonal , janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale.