Një rast i çuditshëm ka ndodhur në Kosovë, pas vendimit pro ARBK-së për pezullimin e licencës së televizionit “Klan Kosova”.
Përpos reagimeve të shumta në rrjete sociale, edhe njerëz që mbajnë pozita të rëndësishme janë përfshirë në këtë debat, ndoshta edhe pa nevojë, shkruan Portali Mërgata.
Jo rrallë herë kemi parë raste kur persona me përgjegjësi e me pozita në Kosovë kanë bërë thirrje anti-demokratike, por rasti i fundit gjithashtu përbën “skandal” në vendet me shoqëri demokratike.
Shefi i kompanisë publike “Trainkos”, kompanisë që merret me bartjen e trenave, njerëzve dhe mallrave në Kosovë, Agron Statovci, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë thirrje që pas mbylljes së televizionit “Klan Kosova”, të mbyllen edhe mediat e tjera.
“Të dashura media, ju ftoj që të solidarizoheni me Klan Kosovën, mbylluni edhe ju. Shërbim më të mirë Kosovës kurrë nuk mundeni me i bo. Ma mirë me kanë të painformum se të dezinformum”, ka deklaruar Statovci.
Reagimi i kryeshefit Statovci ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, duke marrë parasysh kërkesën e tij ‘skandaloze’ ndaj mediave, që sipas kritikëve po kontribuon në një frymë diktatoriale drejt mbylljes së mediave dhe pengimit të informimit të lirë. /Portalimërgata/