Policia zbarkon sërish në veri, zhvillon aksion kundër drogës

Policia e Kosovës ka kryer një aksion kundër drogës në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës. Bëhet fjalë për një banesë në katin e njëmbëdhjetë, të shfrytëzuar nga një shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb.

Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar zëvendësdrejtori rajonal për veriun, Veton Elshani.

“Në banesën që është shfrytëzuar nga S.M (shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb) janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina antiminer S9, 13 ventilatorë, poça elektrikë që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llambë elektrike për laborator, 51 fishekë, 8 shok-bomba të modifikuara. I dyshimti nuk ka qenë aty”, tha Elshani.

Në fillim të këtij viti, Policia e Kosovës zbuloi tre laboratorë drogë në veri të Mitrovicës, ndërsa në vitin e kaluar edhe kishte shkatërruar laboratorë droge.