Policia me operacion kundër armëmbajtësve në Kosovë

Pas rasteve të fundit të gjuajtjeve me armë, Policia e Kosovës ka nisur realizimin e operacioneve në goditje të armëmbajtësve. 

Një të tillë, organet e rendit e kanë realizuar mbrëmë në Ferizaj, shkruan Portali Mërgata. 

Në një komunikatë për media, është bërë e ditur se janë realizuar 147 patrullime, nga ku janë konfiskuar 5 armë zjarri dhe sasi e municionit. 

Njoftimi i plotë nga Policia Kosovare: 

Plani operativ “Goditja” në Ferizaj 

Policia Rajonale e Ferizajt nga data 08.08.2023 ka shtuar masat e sigurisë në rajonin e Ferizajt, ku janë angazhuar të gjitha stacionet e rendit : Ferizaj, Kaçanik , Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit dhe njësitet nga Sektori i Hetimeve Rajonale, Njësia e Reagimit të Shpejtë dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor. Aktivitetet dhe patrullimet policore, kryesisht janë fokusuar në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafiteri, bare nate dhe frekuentim më të madh të qytetarëve.  

Policia Rajonale me kohë i ka koordinuar detyrat e saj me organet e drejtësisë, për trajtimin e rasteve eventuale që mund të iniciohen gjatë zbatimit të këtij plani. 

Nga data : 08-11/08/2023 ka realizuar këto aktivitete: 

Janë realizuar 147 patrullime në zona urbane,  

Janë realizuar 226 pika kontrolli të automjeteve  

Janë realizuar 26 pika kontrolli me alkool test  

Janë realizuar 67 pika kontrolli me radar 

Janë kontrolluar 1645 vetura 

Janë legjitimuar 1895 persona 

Janë kontrolluar 21 lokale 

Janë arrestuar 9 persona  

Janë konfiskuar 5 armë të zjarrit dhe sasi e municionit 

Policia Rajonale e Ferizajt do të shtojë kontrollet policore ndaj personave, automjeteve dhe lokaleve me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të gjërave të ndaluara me theks të veçantë armëve dhe mjeteve tjera të rrezikshme për jetën. 

Policia Rajonale e Ferizajt fton qytetarët për bashkëpunim . Për të gjitha rastet kriminale të lajmërojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. 

Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë. /PortaliMërgata/