Një ditë e veçantë ishte dje për mërgimtarët shqiptarë në qytetin Fulda të Gjermanisë. Atje dje përfundoi viti shkollor 2022/2023 për nxënësit që ndoqën mësimet në gjuhën shqipe, ani pse jetojnë në shtetin gjerman.
Për të përmbyllur këtë vit të suksesshëm, i pranishëm ishte personi inicues dhe ai që mundësoi që mësimi shqip të inkuadrohet në shkollat e Gjermanisë, Ukë Blakaj. Veç Ukës, e pranishme ishte edhe mësuesja Shpresa Tafolli e prindërit e nxënësve shqiptarë, shkruan Portali Mërgata.
Të mësosh në gjuhën amtare, dikur, kur jetonim në robëri, do të ishte një temë tabu, të flitej fshehtas për të, e të praktikohej as që vinte në mendje. Ata që tentonin ta bënin një gjë të tillë, do të përballeshin me përgjigjen e dhunshme të pushtetit agresiv dhe gjenocidial serb. Tanimë kjo nuk është një rrugë e paarritshme as për fëmijët e mërgimtarëve në Gjermani. Por, do të ishte ndoshta fort e vështirë nëse nuk do të ishte angazhimi i mërgimtarit dhe biznesmenit të suksesshëm shqiptar në Gjermani, Ukë Blakaj.
Kurorëzimin e punës së tij, Ukë Blakaj e kishte bërë më 10 shkurt të këtij viti, kur në qytetin Fulda ishte rihapur shkolla shqipe. Si në vendlindje, nxënësit tanimë do të kishin mundësi të lexonin, të flisnin, t’i nënshtroheshin testeve dhe të notoheshin në gjuhën shqipe.
Uka nuk u ndal me kaq. Me kalimin e ditëve, arriti që me bashkëpunëtorë të tij të nxisë dhe realizojë mësimin plotësues shqip në shkollën në Neumarkt.
Një vit i suksesshëm për fëmijët shqiptarë në Gjermani që ndjekin mësimet shqip, pritet të ndiqet me një shtim edhe më të madh të numrit të nxënësve që përcjellin mësimet shqip në këto shkolla.
Kush është Ukë Blakaj?
Të hidhet në letër, e të flitet për punën e lartëpërmendur të Ukë Blakajt, është jashtëzakonisht shumë më e lehtë se sa të realizohet në terren. Vetëm kur të analizohen rrethanat e punës së Blakajt, mund të kuptohet vetëmohimi i tij në arritjen e synimeve.
Pse e bëjmë këtë konstatim? Blakaj është një biznesmen në zë në Gjermani. Ai drejton firmën e tij të njohur “Wolf GMNH” e cila merret me punë në sektorin e ndërtimit. Ka mbi 120 punëtorë, ku mbizotërojnë dukshëm shqiptarët. Përveç saj ka edhe kompani të tjera të suksesshme. Të tilla i ka hapur edhe në Kosovë.
Ka edhe angazhime aktive politike. Blakaj është aktualisht kryetar i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjermani. Së fundmi, ka qenë goxha lajm në media konstituimi i degëve atje, e normalisht, më në krye Blakajn.
Kur flasim për Blakajn, duket se as në rastin e tij nuk mund t’i lihet asgjë rastësisë. Veprimtaria e tij patriotike moderne, ndërlidhet me veprimtarinë patriotike luftëtare të paraardhësve të tij.
Uka është një nga djemtë e dëshmorit të UÇK-së, mësuesit Mustafë Blakaj. Atë që babai i tij nisi gjatë luftës, e vazhdoi Uka pas saj. Duke mos harruar vendlindjen, ai tanimë ka hapur disa kompani goxha në zë në qytetin e tij, Istog.
Veprimtaria e tij politike nuk është karakterizuar asnjëherë me populizma dhe teori të momentit për konsum të brendshëm. Gjithçka me çka është marrë Blakaj deri sot, ka të bëj me punë konkrete në të mirë të shqiptarëve në Gjermani, mirëpo edhe në Kosovë.
Një profil i duhur për deputet përfaqësues i mërgatës? Ndoshta edhe mund ta shohim shpejtë në ulësen e parlamentit. /PortaliMërgata/